DIGITAL TIRANA

Perfundimi i Panairit Future2Tech

Në datat 9-10 Tetor, Tirana u bë shtëpia e panairit më të rëndësishem teknologjik të vitit “Future2Tech”. Ky event i përvitshëm, që ka si qëllim të promovojë inovacionin dhe teknologjinë në rajon, mblodhi një numër të madh profesionistesh, sipërmarrësish, studentësh dhe entuziastë të teknologjisë nga e gjithë Shqipëria dhe Ballkani. Panairi ishte një platformë e shkëlqyer për të diskutuar zhvillimet më të fundit në fushat e teknologjisë informative, inteligjencës artificiale, robotikës dhe shumë të tjera.

Panairi u hap me një ceremoni inagurimi ku morën pjesë figura të njohura nga qeveria, përfaqësues të institucioneve arsimore dhe liderë të industrisë. Zv.kryetarja e Bashkisë Tiranë, Znj. Jonida Halili, theksoi rëndësinë e organizimit të eventeve të tilla për zhvillimin e inovacionit dhe krijimin e mundësive për të rinjtë shqiptarë. Ajo shprehu angazhimin e qeverisë lokale për të mbështetur iniciativa që promovojnë teknologjinë dhe sipërmarrjen në vend. Gjithashtu Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Z. Blendi Gonxhja tha se “Ky panair sjell së bashku profesionistë dhe entuziastë të teknologjisë, për të eksploruar zgjidhje inovative dhe zhvillimet më të fundit në këtë fushë”.

Një nga tema kryesore të diskutimit në panair ishte ndikimi i inteligjencës artificiale në jetën e përditshme. Ekspertët e fushës paraqitën projekte dhe aplikacione të ndryshme që demonstruan se si inteligjenca artificiale po transformon industri të ndryshme, nga shëndetësia deri tek financat. Raste të suksesshme të startup-eve që kishin përdorur teknologjinë AI për të zgjidhur probleme specifike treguan potencialin e madh që ofron kjo teknologji.

Një nga atraksionet kryesore të panairit ishte zona e startup-eve, ku mbi 20 kompani të reja kishin mundësinë të ekspozonin produktet dhe shërbimet e tyre. Këto kompani ofruan një gamë të gjerë zgjidhjesh teknologjike, duke përfshire aplikacione për menaxhimin e financave, platforma për mësim online, aplikacione për mobilitetin dhe zgjidhje për sigurinë kibernetike. Kjo zonë e dedikuar për startup-et u shndërruan në një qendër network-u, ku të rinjtë patën mundësinë të lidhen me investitorë dhe mentorë.

Panairi ofroi gjithashtu një sërë panelesh dhe diskutimesh që përqëndroheshin në temat aktuale të teknologjisë. Ekspertët ndanë njohuritë e tyre mbi menaxhimin e projekteve teknologjike, zhvillimin e software-ve dhe strategjitë e marketingut për produkte teknologjike. Këto sesione ishin një mundësi e shkëlqyer për pjesëmarrësit që të thelloheshin në temat e interesit të tyre dhe të merrnin këshilla praktike nga profesionistët.

Në përfundim të panairit, u mbajt një konkurs për startup-e, ku 11 përfaqësues prezantuan produktet e tyre përpara një jurie të njohur. Juria përbëhej nga emra: si Znj.Rafaela Rica, Z. Grant Van Cleve, Z. Eglent Bici, Znj. Brunilda Cuko, Z. Eduard Shalsi dhe Z. Francois Mazoudier. Ky konkurs shërbeu si një mundësi për të rinjtë që të demonstrojnë kreativitetin dhe inovacionin e tyre, si dhe të tërheqin vëmëndjen e investitorëve të mundshëm.

Dy startup-et fituese ishin “Patoko”, i cili fitoj çmimin “Fundraising Bootcamp Program Acceptance”, dhe “Suapr”, i cili u shpall fitues i çmimit “Tan Mezini”. Këto suksese treguan potencialin e madh të inovacionit në Shqipëri dhe inkurajuan pjesëmarrësit e tjerë të vazhdojnë të punojnë në projekte të reja dhe premtuese.

Gjatë 2 ditëve më shumë së 3500 vizitorë ndoqën panairin, duke përfshire studentë, profesionistë dhe përfaqësues të industrisë. Pjesëmarrësit u shprehen të kënaqur me nivelin e lartë të organizimit dhe përmbajtjes, duke theksuar se eventi kishte një ndikim të madh në promovimin e teknologjisë dhe inovacionit në Shqipëri.

Panairi Future2Tech 2024 në Tiranë nuk ishte thjesht një event për teknologjinë, ai ishte një hap drejt ndërtimit të një ekosistemi të fuqishëm inovativ në Shqipëri. Me iniciativa të tilla, vendi po krijon një mjedis më të favorshëm për zhvillimin e teknologjisë dhe promovimin e ideve të reja, duke e pozicionuar veten si një qendër të rëndësishme për inovacionin në Ballkan. Të gjithë ata që morën pjesë në këtë panair u larguan me ide të reja, frymëzim dhe shpresë për një të ardhme më të ndritur për sektorin e teknologjisë në Shqipëri.