DIGITAL TIRANA

Dean Çelaj

Themelues i Akademi.al.

Ecosystem Unplugged është një nismë që promovon sipërmarrësit vendas që ndihmojnë në forcimin e ekosistemit tonë.

Duke i ftuar themeluesit t'u përgjigjen disa pyetjeve, ne duam të hedhim dritë mbi historitë dhe modelet më frymëzuese të ekosistemit.

Shpresojmë që duke u ofruar themeluesve të startup-eve një hapësirë për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, ne të gjithë do të mësojmë dhe do të rritemi së bashku.

Si ju ka ndihmuar karriera juaj me themelimin e start-up tuaj? 

Në fillimet e mia nuk dija asgjë për punën, çfarë ishin praktikat, si të aplikoja për punë. Në Shkollën e Menaxhimit të UCL, ku dhe jam diplomuar, pata fatin të takoja profesorë të shquar, të cilët më mësuan mënyrën se si funksiononin gjërat në realitet. Isha në gjendje të dalloja nevojën time për t’u përmirësuar në një treg pune gjithnjë e më konkurrues. Unë mësova rreth teknologjive të ndryshme: AI, automatizim, softuer, cloud. Nisa të hulumtoja për idetë e biznesit në vitin tim të dytë, pasi e dija që sipërmarrja do të ishte zgjedhja e duhur.

Hapja e një biznesi dhe të kuptuarit e inovacioneve të reja në kursin që kam ndjekur nga IBM, më ndihmuan shumë të hapja start-up-in tim.

Dikush në UCL gjithashtu më inkurajoi të aplikoja në Accenture, ku ndërtova aftësi të forta që ende i vendos në zbatim.

Në dy vitet e fundit të shkollës, nga module të ndryshme mësova për biznesin, programimin, financat, marketingun, psikologjinë e njerëzve, madje edhe ligjin. Gjithçkaje që mësova i referohem edhe sot në biznesin tim.

Cilat kanë qënë disa nga sfidat më të mëdha për ju?

Besimi i mësuesve ishte i vështirë pë t’u fituar. Akademi.al u krijua përpara shpërthimit të pandemisë dhe vetëm një numër i vogël mësuesish besuan në vizionin tim. Gjetja e mësuesve për krijimin e kurseve u bë më e lëhtë kur morëm mbështetjen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Kur shkollat u mbyllën, ne kishim vetëm 900 video mësimore në dispozicion të regjistruara më herët!

Ne duhej të ofronim më shumë video mësimore në një kohë rekord dhe për temat mësimore të pjesës së mbetur të atij viti shkollor. Gjithashtu, me vitin e ri shkollor që do të vinte shumë shpejt dhe pasigurinë nëse mësimi do procedohej sërish fizikisht, ne duhet të krijonim një platformën të re, me më shumë funksionalitete, e cila duhej të përfundonte përpara datës zyrtare të fillimit të shkollës.

Cilat kanë qënë disa nga fitoret më të mëdha të angazhimit tuaj?

Një nga sukseset tona më të mëdha është që ne numërojmë sot mbi 450,000 përdorues në platformë! Pra pothuaj të gjithë nxënësit e sistemit parauniversitar për vitin akademik 2020- 2021 dhe mësuesit e po atij viti. Ne arritëm të përballojmë me sukses trafikun e madh të përdoruesve të platformës, pavarësisht vështirësive të hasura në fillimet tona. Ne arritëm të bëheshim platforma zyrtare e përdorur nga gjithë sistemi arsimor parauniversitar në Shqipëri.

Ne u mundësuam të gjithë nxënësve video mësimore në të gjitha lëndët sipas kurrikulës shkollore. Lançuam në kohë rekord platformën e re me funksionalitete të reja për ta bërë mësimin online më të thjeshtë. Duke ofruar mundësinë e krijimit të klasave virtuale dhe komunikimit në kohë reale direkt nga platforma. Themi me bindje të plotë që akademi.al vijon të përdoret nga një numër i konsiderueshëm nxënësish dhe mësuesish.

Cilat janë disa nga nevojat specifike të akademi.al?

Zhvillimi dhe mirëmbajtja e platformës, zhvillimi i përmbajtjes, mirëmbajtja e serverëve që të përmbushin kapacitetet tona dhe trajnimi i mësuesve kanë qenë jo vetëm një nevojë, por një domosdoshmëri që vazhdon. Megjithatë, ne kemi pasur mbështetjen kryesisht të OJQ-ve, duke përfshirë UNICEF-in, OKB-në, Mbretërinë e Holandës, Këshillin Britanik, që i ka lehtësuar këto nevoja që në fillim të pandemisë.

Përse keni zgjedhur Tiranën për të themeluar dhe rritur biznesin tuaj?

Tirana është kryeqyteti ynë dhe si i tillë ofron shumë mundësi. Ministria e Arsimit dhe Sportit, si institucioni kryesor shtetëror për arsimin, e ka bazën në Tiranë. Kontakti i drejtpërdrejtë ka qenë shpeshherë i domosdoshëm për të bindur institucionet për përfitimet që do sillte platforma akademi.al në sistemin arsimor. Fakti që ne ndodheshim në Tiranë na kursente mjaft kohë. Partnerët që na kanë mbështetur, UNICEF, OKB, Mbretëria e Holandës, Këshilli Britanik i kanë bazat në Tiranë dhe kontakti me ta ka qenë i vazhdueshëm.

Disa nga shkollat dhe nga mësuesit më të mirë gjenden në Tiranë. Shumë prej tyre u treguan të gatshëm të krijonin video mësimore për akademi.al. Një nga gjimnazet e Tiranës na ka ofruar ambjentet e saj për regjistrimin e videove mësimore. Mësuesit që ne zgjodhëm për regjistrimin e videove kursenin mjaft kohë për faktin që ambjentet e regjistrimit ishin në Tiranë. Jo më pak i rëndësishëm është fakti që Tirana është qyteti i të rinjve! Dhe akademi.al është ndërtuar me një staf të rinjsh që kanë dëshirë të kontribuojnë në fushën e edukimit nëpërmjet teknologjisë.

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp