DIGITAL TIRANA

DeepSeek

DeepSeek është një chatbot revolucionar nga Kina, i cili po trondit industrinë globale të teknologjisë me potencialin dhe qasjen e tij unike. I krijuar nga Liang Wenfeng, një inxhinier me eksperiencë të gjatë në elektronikë dhe informacion, DeepSeek erdhi në jetë në vitin 2023 dhe brenda pak kohe ka tejkaluar pritshmëritë. Përmes modelit të tij DeepSeek-V3, ky chatbot ka arritur suksese të jashtëzakonshme, duke konkurruar fuqishëm me rivalët më të medhenj si ChatGPT i OpenAI dhe Gemini i Google.
Një nga arsyet kryesore që e bën DeepSeek kaq të veçantë është efikasiteti i tij në kosto. Me një buxhet total prej vetëm 6 milionë dollarësh, zhvilluesit kinezë arritën të minimizojnë shpenzimet duke shfrytëzuar burime të hapura dhe teknologji ekzistuese. Performanca e DeepSeek ka kapërsyer parashikimet dhe ka fituar shpejt popullaritet, duke u bërë aplikacioni më i shkarkuar falas në SHBA brenda një jave nga debutimi i tij.

Por DeepSeek nuk është vetëm një histori suksesi ekonomik; ai është gjithashtu objekt debatesh mbi privatësinë dhe sigurinë e të dhënave. Sipas politikës së tij të privatësisë, DeepSeek mbledh një sasi të madhe të të dhënave personale nga përdoruesit e tij, duke përfshirë adresat e emailit, numrat e telefonit, datat e lindjes dhe të dhëna të tjera kur krijohet një llogari. Gjithashtu, ky chatbot regjistron gjithçka që përdoruesit shkruajnë ose flasin, si dhe historitë e tyre të bisedave. “Informacioni teknik”, si modeli i telefonit, sistemi operativ, adresa IP dhe madje edhe “modelet e goditjes së tasteve”, gjithashtu ruhet dhe përdoret për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin e DeepSeek. Ky informacion ruhet në serverë “të sigurt” në Kinë dhe ndahet me ofrues shërimesh, partnerë reklamash dhe grupe të tjera korporative, duke ngritur shqetësime serioze mbi privatësinë.
Lançimi i DeepSeek ka ndikuar gjithashtu tregjet globale të aksioneve, duke shkaktuar rënie të konsiderueshme në vlerën e kompanive të teknologjisë si Nvidia, Microsoft dhe Meta.

Kjo ka nxitur debat mbi dominimin amerikan në fushën e AI-së dhe efikasitetin e modeleve të investimeve të deritanishme. Marc Andreessen, një nga emrat më të njohur në Silicon Valley, e ka përshkruar DeepSeek si “Momentin Sputnik të AI-së”, duke krahasuar ndikimin e tij me atë të lansimit të satelitit të parë sovjetik që tronditi SHBA-në në vitin 1957.

E ardhmja e DeepSeek duket po aq premtuese sa dhe komplekse. Ndërsa ka treguar se inovacioni nuk ka gjithmonë nevojë për investime të mëdha, shqetësimet mbi privatësinë dhe ndikimin e tij në tregjet globale mbeten të pazgjidhura. Përparimi i tij mund të pengohet nga kufizimet në aksesin ndaj teknologjive më të avancuara, siç janë çipat më të fundit. Megjithatë, pozicionimi strategjik dhe vizioni i krijuesit të tij, Liang Wenfeng, e bëjnë DeepSeek një lojtar kryesor në arenën globale të inteligjencës artificiale, duke sfiduar gjigantët tradicionalë të teknologjisë dhe duke hapur horizonte të reja në botën e AI-së.

 

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp