TechTalks është një iniciativë e Drejtorisë së Inovacionit,Zhvillimit dhe GIS pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Qeverisje Elektronike dhe Inovacionit, që paraqet sipërmarrësit lokalë që ndihmojnë në forcimin e ekosistemit tonë. Duke ftuar themeluesit t’u përgjigjen disa pyetjeve, ne duam të nxjerrim në pah historitë dhe modelet më frymëzuese të ekosistemit tonë. Shpresojmë që duke u ofruar themeluesve të startup-eve një hapësirë për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, të gjithë do të mësojmë dhe do të rritemi së bashku.
Si ju ka ndihmuar karriera juaj me themelimin e biznesit tuaj?
Karriera ime ishte arsyeja e themelimit të AECA. Biznesi i themeluar prej meje ka shumë nevojë për të mbledhur bashkë të gjithë aktorët e tregëtisë online sepse sfidat janë më të mëdha se një kompani e vetme. Duke patur parasysh që unë nuk heq dorë deri në arritjen e objektivave të mi, ky ishte një hap i radhës për tu bërë në këtë rrugëtim.
Cilat kanë qenë disa nga sfidat më të mëdha për ju?
Dita ime është e mbushur me sfida ashtu si e çdo sipërmarrësi. Nëse do mund të diferencoja sfidat më të mëdha ato janë:
- Mardhënia me partnerët në tregëtinë në internet. Kompania që menaxhoj ka mbi 400 partnerë dhe ndërkohë që epoka e informacionit kërkon digjitalizimin e biznesit, kjo mendësi është akoma pak larg në Shqipëri. Për këtë arsye ne hasemi me vështirësi të përditshme në mardhëniet që kemi me ta;
- Ndërtimi i një ekipi të fortë, kjo sepse në Shqipëri mungon ekspertiza në këtë industri dhe të gjithë duhen trajnuar dhe zhvilluar paralelisht me punët e tyre të përditshme;
- Sfida më e madhe është që industria jonë është një zinxhir punësh që secili impakton drastikisht në cilësinë finale që i japim konsumatorit në fund.
Cilat kanë qënë disa nga fitoret më të mëdha të angazhimit tuaj?
Në biznesin tim ne kemi patur shumë fitore, kemi qenë e para kompani që kemi integruar blerjet me butonin ‘bli me 1 klikim’ kemi qënë e para kompani që ka integruar shitjet me këste online.
Ndërkohë me shoqatën edhe pse në më pak se 1 vit punë ne kemi patur shumë inpakt në industri. Kemi influencuar ministrinë e financave të krijojë një grup pune, ku ne jemi të përfshirë për të ndërtuar planin e shtetit shqiptar në lidhje me tregëtinë online. Kemi filluar procesin e ndërtimit të një ‘Trust Mark’ e cila do të diferencojë bizneset serioze nga pjesa tjetër. Kemi 50 kompani pjesë të shoqatës edhe përse nuk ka kaluar akoma viti i parë i operimit.
Cilat janë disa nga nevojat specifike të AECA?
Ne jemi vendi i parafundit në Europë për përqindjen e popullsisë që blen në internet. Gjithashtu ne kemi një nivel shumë të lartë informaliteti dhe detyra e shoqatës është të ndikojë maksimalisht në formalizimin e këtij tregu. Gjithashtu trajnimi dhe zhvillimi i sipërmarrësve në këtë industri të re është kritike.
Përse keni zgjedhur Tiranën për të themeluar dhe rritur biznesin tuaj?
Tirana është vendi me më shumë operatorë në këtë industri, por gjithashtu është vendi ku janë distributorët dhe partnerët e tjerë të kësaj industrie. Edhe pse konsumatori është i shpërndarë në të gjithë Shqipërinë epiqendra ekonomike e këtij sektori është Tirana.
Cilat janë objektivat e AECA për 3- 5 vitet e ardhshme?
Ne duam të ndihmojmë në 10-fishimin e tregut të shitjeve online në Shqipëri. Duam që të kemi një shoqatë autonome e cila gjeneron të ardhura për të dhënë rezultate të vazhdueshme për bizneset që përfaqëson. Duam që të jemi gjithashtu shoqata lider në rajon për të bashkuar të gjithë rajonin në bashkëpunim me shoqatat e tjera për të vendosur standarte të njëjta kudo, por gjithashtu për të ndihmuar kompanitë shqiptare të zgjerohen dhe bëjnë biznes në të gjithë rajonin.
Comments are closed