Home » Alma Gërxhani
Ecosystem Unplugged është një nismë që promovon sipërmarrësit vendas që ndihmojnë në forcimin e ekosistemit tonë.
Duke i ftuar themeluesit t'u përgjigjen disa pyetjeve, ne duam të hedhim dritë mbi historitë dhe modelet më frymëzuese të ekosistemit.
Shpresojmë që duke u ofruar themeluesve të startup-eve një hapësirë për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, ne të gjithë do të mësojmë dhe do të rritemi së bashku.
Si ju ka ndihmuar karriera juaj me themelimin e Manderina?
Manderina Shpk u krijua në vitin 2014. Kur kthehem pas në kohë, duket si një rrjedhë e natyrshme në jetën time. Vija pas një periudhe të gjatë në pozicione të ndryshme si eksperte komunikimi dhe PR. Dy pozicionet e fundit që mund të përmend ishin Eksperte Komunikimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe e fundit në Kryeministri në Departamentin e Koordinimit të Strategjive dhe Ndihmës së Huaj. Kishte ardhur momenti të sfidoja veten me diçka me komplekse, siç është menaxhimi i një biznesi. Manderina u ngrit me synimin për të ndihmuar bizneset e vogla me shërbime të marketingut dixhital që të rritin prezencën e tyre online. Unë kam përfunduar studimet në Matematike në Tiranë dhe në 2003-2004 ndoqa studimet për Master në E-publishing në Londër. Konkurrova dhe fitova bursë e plotë Chevening nga qeveria angleze për një vit të plotë akademik në Londër. Ishte një fushë edukimi që kombinoi aftësitë dhe njohuritë e mia dhe më futi edhe më tepër në fushën e teknologjisë. Atëherë punoja tek gazeta Shekulli si editore online ku bashkë me një ekip të vogël krijuam portalet e para online të Spektër Media Group, gazeta Shekulli, revista Spektër, Radio+2 dhe gazeta Sporti Shqiptar. Studimet Master në degën E-publishing erdhën si nevojë për të marrë njohuri të reja dhe për t’i aplikuar në punën time si editore online.
Cilat kanë qenë disa nga sfidat më të mëdha për ju?
Biznesi ka shumë sfida dhe janë të shumëllojshme. Pas kaq vitesh them që problemet që duan zgjidhje nga një sipërmarrës janë pak a shumë të njëjta: gjetja e tregut, trajnimi i punonjësve, rritja e eficencës, reduktimi i kostove etj. Ajo që më është dukur e qenësishme në udhëtimin tim profesional është përshtatja. Manderina Shpk në fillimet e saj kishte portofol të gjerë klientësh të cilëve u ofronte shërbime marketingu dixhital, por gjatë pandemisë duke qenë se klientët tanë operonin kryesisht në turizëm, pësuam goditje dhe disa prej hoteleve madje u mbyllën.
Gjetja e një ideje të re biznesi ishte një sfidë sidomos gjatë kohës që ishim të izoluar dhe të terrorizuar nga pandemia. Por ndonjëherë në kushte të vështira lindin dhe idetë më të mira. Nga kërkimet në internet zbuluam disa ide e-commerce që kishin patur sukses dhe menduam t’i aplikonim ato në Shqipëri. Ideja e parë që na tërhoqi ishte importi dhe tregtimi online i Whisbear, një lodër pellushi me zhurmë rozë që vë fëmijët në gjumë. Whisbear është prodhuar në Poloni dhe ka marrë disa çmime ndërkombëtare për cilësinë dhe inovacionin. Ato janë lodra smart, sepse kanë dhe sensor për të qarat që aktivizon zhurmën sapo fëmija qan. Disa prej lodrave janë shumë teknologjike pasi lidhen me app dhe komandohen nga telefoni me bluetooth.
Arritëm ta importonim këtë lodër të bukur dhe funksionale dhe e shesim tashmë online nëpërmjet platformës www.whisbear.al ku kemi ekskluzivitet për Shqipërinë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut
Ajo që më jep kënaqësi kur e ndaj me të tjerët këtë ide, është fakti që përveç se kemi sjellë një produkt inovativ në Shqipëri, në qendër të biznesit tonë ka qenë dhe një kauzë sociale: edukimi i nënave të reja që të mbajnë larg telefonin nga fëmijët e tyre, për shkak të dëmtimeve që valët elektromagnetike shkaktojnë tek të vegjlit. Ky ka qenë dhe në fokus të fushatës tonë që të ofrojmë një alternativë të shëndetshme për gjumin e fëmijëve.
Platforma e dytë e-commerce që menduam të ndërtonim pas pandemie është www.pluto.al funksionon si marketplace për ushqimet dhe aksesorët e kafshëve shtëpiake ku janë të pranishme brande të ndryshme dhe klienti mund të zgjedhë sipas preferencave.
Platforma e tretë që ka qenë si ide që herët, është www.blishqip.al bazuar në dëshirën e mirë për të promovuar dhe shitur produkte autentike shqiptare. Ka qenë e përfolur dhe përdorur si slogan “blishqip”, por nuk ishte konkretizuar asgjë. Platforma doli online në fund të 2022 me synimin jo vetëm për të promovuar produktet tona, por edhe për të ndihmuar prodhuesit shqiptarë me një kanal shitjeje dhe promovimi. Edhe ky është një model marketplace ku prodhues të ndryshëm publikojnë produktet e tyre. Synimi ynë është që blishqip.al të bëhet platforma mbarëkombëtare e produkteve “Made in Albania”.
Cilat kanë qenë disa nga fitoret më të mëdha të angazhimit tuaj?
Më shumë se sa fitore do t’i quaja arritje, apo kënaqësi që marrim kur kemi rezultate të mira. Kënaqësia më e madhe që kam është që në çdo punë që marrim përsipër si ekip përpiqemi ta çojmë deri në fund dhe me cilësi duke ndjekur modelet më të mira rajonale dhe europiane. Kjo ka ndodhur në fushën e turizmit, ku kam aktivitetin tim kryesor, por edhe tek idetë e reja e-commerce që po aplikojmë së fundmi. Disa nga projektet për të cilat ndjej kënaqësi profesionale kur përmenden janë : projekti i brandimit të Gjirokastrës www.visit-gjirokastra.com, projekti i brandimit të Tiranës, www.visit-tirana.com, puna për brandimin e Albania Holidays www.albania-holidays.com dhe www.albania-hotel.com që ka qenë dhe booking i parë shqiptar dhe vazhdon të jetë në faqen e parë në Google për pothuaj 20 vjet. Edhe platformat e-commerce që përmenda më sipër po stabilizohen në treg dhe që në muajt e parë të hedhjes online kanë dhënë rezultate shumë të mira. Projekti Blishqip.al është në vitin e parë të tij, është shumë sfidues, por edhe i bukur!
Cilat janë disa nga nevojat specifike të Manderina?
Formalizmi i bizneseve është një faktor që prek direkt ecurinë e bizneseve të regjistruara, sidomos në kohën ku jetojmë kur kushdo pa hapur biznes dhe pa paguar asnjë taksë shet nëpërmjet kanaleve sociale me kosto zero. Kjo ka dy probleme: 1. Krijon konkurrencë të pandershme, sepse një biznes i paregjistruar mund t’i ofrojë shërbimet/produktet me çmim më të ulët për shkak të kostove që nuk i ka dhe 2. Krijon një imazh të gabuar dhe thyen besimin e konsumatorëve tek tregtia online. Ne përpiqemi të edukojmë konsumatorët që të porosisin dhe paguajnë online, por preferenca e tyre është pagesa kesh dhe një nga shkaqet është besimi i ulët tek tregtarët. Kjo shpjegon pse Shqipëria ka nivelin me të ulët në rajon për blerjet online.
Përse keni zgjedhur Tiranën për të themeluar dhe rritur këtë iniciativë?
Tirana është qyteti ku jam arsimuar dhe jetoj me familjen time dhe të afërmit, prandaj në mënyrë të natyrshme edhe biznesin do ta zhvilloj këtu. Por sot vendndodhja fizike nuk do të thotë asgjë, secili nga ne ka mundësi që të ofrojë shërbime për një treg ndërkombëtar, pavarësisht se ku jeton. Kështu edhe Manderina Marketing & Tourism Consultancy, i ka shërbyer klientëve si jashtë dhe brenda vendit.
Cilat janë objektivat e Manderina për 3- 5 vitet e ardhshme?
Objektivat janë specifikë për secilën nga linjat e biznesit që kemi. Një gjë është e sigurt, që nuk mund të kemi objektiva 5 dhe 10 vjeçar si dikur se gjërat ndryshojnë kaq shpejt globalisht dhe prekin mënyrën si bëjmë biznes, si mendojmë dhe jetojmë. E rëndësishme është gjithmonë të studiosh dhe të përshtatesh.