
Antonio Demiri
Themelues i Dora Creative Space.
TechTalks është një iniciativë e Drejtorisë së Inovacionit,Zhvillimit dhe GIS pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Qeverisje Elektronike dhe Inovacionit, që paraqet sipërmarrësit lokalë që ndihmojnë në forcimin e ekosistemit tonë. Duke ftuar themeluesit t’u përgjigjen disa pyetjeve, ne duam të nxjerrim në pah historitë dhe modelet më frymëzuese të ekosistemit tonë. Shpresojmë që duke u ofruar themeluesve të startup-eve një hapësirë për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, të gjithë do të mësojmë dhe do të rritemi së bashku.
Si ju ka ndihmuar karriera juaj me themelimin e biznesit tuaj?
Unë mund të them që “karriera” ime ka nisur që kur unë kam qenë në klasën e 6 në shkollën 9 vjecare. E them këte pasi në atë kohë, unë fillova të isha aktiv në disa organizata jo-fitimprurëse dhe që nga ai moment mësova procesin e “problem solving”. Gjithmonë isha kurioz të mësoja gjëra të ndryshme dhe kur shikoja probleme të përditshme mendoja se si ti zgjidhja këto probleme. Në gjimnaz pa e kuptuar fillova të merresha me dizenjime dhe video editime të cilat më jepnin disa të ardhura për ti shfrytëzuar në përditshmëri dhe më pas duke u fokusuar në fushën e multimedias, u thellova më shumë duke mësuar gjëra të reja. Në dy vitet e para të universitetit fillova të punoja si Multimedia Designer në disa kompani dhe aty kuptova shumë gjëra rreth funksionimit të një kompanie kreative. Duke qenë një person që çdo ditë ecën me mendimin “problem solving”, të gjitha eksperiencat e mia të këqija në këto kompani i përdora për të ardhur me një ide të një kompanie kreative dhe ja ku jemi sot me “Dora Creative Space.” Pra për ta përmbledhur, karriera ime më ka ndihmuar të kuptoj ekosistemin ku unë punoj dhe të vij me diçka të re.
Cilat kanë qenë disa nga sfidat më të mëdha për ju?
Disa nga sfidat më të mëdha mund të them që kanë qenë hyrja në treg, menaxhimi i klientëve dhe qëndrueshmëria financiare. Hyrja në një treg të mbushur plot e përplotë me shërbime marketingu dhe IT ishte shumë e vështirë, por kjo vështirësi më bëri të kuptoj që duhet të konkuroja me diçka ndryshe dhe më ndihmoi në mënyrën sesi kompania ofron këto shërbime. Menaxhimi klientëve është një aspekt kyç në zhvillimin e një kompanie. Kjo ka qenë një sfidë më vete pasi përveç hyrjes së klientëve të rinj, gjithmonë duhet të kësh parasysh menaxhimin e klientëve ekzistues dhe më pas të menaxhosh sa më mirë të gjitha projektet dhe afatet. Sfidë e madhe ka qenë dhe qëndrueshmëria financiare. Kjo vjen sepse jo të gjithë kanë mundësi vetë por dhe nga familja të kenë kursime që mund ti investojnë në një biznes. Çdo gjë që kam investuar në biznes ka qenë duke punuar dhe investuar njëkohësisht duke e bërë më te vështirë rritjen e biznesit pasi në rradhë të parë duhet të përmbushja nevojat e mia financiare dhe më pas të biznesit.
Cilat kanë qënë disa nga fitoret më të mëdha të angazhimit tuaj?
Mendoj se krijimi i një rrjeti profesionistësh të përkushtuar në punën e tyre ka qenë një nga fitoret e mia kryesore por gjithashtu dhe rritja e klientëve të kompanisë vetëm nëpërmjet referimeve ka qenë një fitore e madhe për kompaninë. Duke pasur këto dy aspekte kryesore që në fund të fundit janë baza e krijimit të kompanisë, besoj se dhe kompania ecën dhe rrit veten e saj çdo ditë.
Cilat janë disa nga nevojat specifike të Dora Creative Space?
Ekspertiza në disa fusha si ligjore, financiare apo në zhvillim biznesi mendoj se janë disa nevoja specifike të Dora Creative Space. E them këtë pasi për të mos pasur probleme në kompani, aspektet ligjore dhe financiare duhet të jenë të rregulluara dhe koherente me çdo ligj. Ndërsa ekspertiza në zhvillim biznesi ka të bëjë me nevojën që bizneset në përgjithësi kanë për t’u rritur më tej me shërbimet apo produktet që ata ofrojnë.
Përse keni zgjedhur Tiranën për të themeluar dhe rritur biznesin tuaj?
Në fakt, në fillim kam menduar ta themeloj biznesin në vendlindjen time, Elbasan, por duke parë ekosistemin ku Dora punon, u binda që kompania do të rritej më shumë në Tiranë. Shërbimet që kompania ofron, janë më afër nevojave të bizneseve në Tiranë pasi klima e biznesit është më e zhvilluar dhe duke qënë kështu, shërbimet tona kërkohen më shumë nga biznese dhe individë të ndryshëm në Tiranë.
Cilat janë objektivat e Dora Creative Space për 3- 5 vitet e ardhshme?
Ne synojmë që në 3-5 vitet e ardhshme të kemi krijuar eksperiencën dhe ekspertizën e duhur për të dalë në tregun e Ballkanit, Europës dhe më pas në të gjithë botën me shërbimet që ne ofrojmë.