DIGITAL TIRANA

Blerina Hoxha

THEMELUESE BLOconomy.

Ecosystem Unplugged është një nismë që promovon sipërmarrësit vendas që ndihmojnë në forcimin e ekosistemit tonë.

Duke i ftuar themeluesit t'u përgjigjen disa pyetjeve, ne duam të hedhim dritë mbi historitë dhe modelet më frymëzuese të ekosistemit.

Shpresojmë që duke u ofruar themeluesve të startup-eve një hapësirë për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, ne të gjithë do të mësojmë dhe do të rritemi së bashku.

  1. Çfarë ju frymëzoi për të nisur biznesin tuaj, dhe si lindi kjo ide?

Që prej 10 vitesh jap mësim në Fakultetin e Ekonomisë – Universiteti i Tiranës. Sa herë që pyesja studentët e mi nëse kishin një “rol model” në fushën e sipërmarrjes, përgjigjet e tyre ishin gjithmonë sipërmarrës të tregut ndërkombëtar, si Elon Musk, Steve Jobs, Warren Buffett, etj.

Ndërkohë, në rrethin tim të ngushtë shoqëror kisha miq dhe mikesha që vinin nga fusha e biznesit, po bënin një punë të shkëlqyer në industritë e tyre, dhe askush nuk i njihte për arritjet e tyre apo për sfidat e shumta që kishin kaluar në treg. Një tjetër nevoje e identifikuar  edhe Eldrion Zace, i cili është bashkëthemelues i BLOconomy. Ishte që sa herë që ai haste një problem në treg dhe kishte nevojë të konsultohej me dikë, e gjente të vështirë të gjejë çdo ditë dikë që “kishte veshur të njëjtat këpucë” – ato të sipërmarrësit të ri që përballet me sfida në treg. 

Kjo na bëri të mendojmë për iniciativën tonë të parë në BLOconomy, e cila është “40 under 40”. Kjo është një iniciativë që identifikon, promovon dhe rendit sipërmarrësit më të suksesshëm nën moshën 40 vjeç në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Prej 4 vitesh e zhvillojmë këtë iniciativë dhe këtë vit jemi në procesin e implementimit të Edicionit të 4-t, ku në qershor 2025 do të publikojmë në treg revistën me 40 sipërmarrësit më të suksesshëm në rajon.

 

  1. Si ju ka ndihmuar eksperienca juaj me themelimin/ menaxhimin e BLOconomy?

Më ka ndihmuar shumë fakti që vija nga një formim akademik në fushën e ekonomisë, kisha një rrjet shumë të gjerë në ekosistem, të krijuar prej më shumë se 10 vitesh punë dhe, mbi të gjitha, një emër të mirë në këtë treg.

Kudo që shkoja për të prezantuar iniciativën, pas saj qëndronte vetëbesimi i fituar nga të gjitha iniciativat e mëparshme që kisha krijuar në treg dhe bindja se shërbimi i radhës që do të ofronim do të kishte sukses. Ky besim e bëri që BLOconomy të depërtonte shpejt në treg dhe më pas ishte cilësia e shërbimit të ofruar ajo që vazhdon ta mbajë në treg.

  1. Cilat ishin disa nga sfidat më të mëdha që përballuat në fillim, dhe si i tejkaluat ato?

Të shesësh një produkt në tregun tonë është më e lehtë; nuk mund të themi të njëjtën gjë për shitjen e shërbimeve. Skepticizmi fillestar ndaj shërbimeve ka qenë një sfidë. Nga ana tjetër, edhe ndryshimi i “mindset-it” të sipërmarrësve të rinj ka kërkuar kohë, për të kuptuar që rrjetëzimi dhe një network i mirë ju japin mundësinë që, në disa raste, të mos ngjisni shkallët, por të përdorni ashensorin duke njohur njerëzit e duhur.

Megjithatë, sot gjërat kanë ndryshuar disi, falë edhe kontributit tonë në ekosistem, duke ndikuar në mënyrën se si ai e sheh rëndësinë e rrjetëzimit dhe të ndërtimit të një network-u cilësor

  1. Si e keni menaxhuar ekipin tuaj që të jetë produktiv dhe i fokusuar në objektivat afatgjata?

Burimet njerëzore janë sfida më e madhe aktualisht në tregun tonë në Shqipëri. Ne investojmë shumë tek stafi ynë, duke ofruar trajnime, rrjetëzim dhe aktivitete të ndryshme, me qëllim që të krijojmë një frymë motivimi në çdo aktivitet që organizojmë.

Sa i përket objektivave afatgjata, stafi ynë luan një rol të rëndësishëm në prezantimin dhe përmbushjen e tyre. Në BLOconomy, ata janë partnerët tanë në arritjen e këtyre objektivave strategjike.

  1. Si e përkufizoni suksesin për biznesin tuaj, dhe si e matni atë?

Suksesi ynë merr forma dhe njësi matëse të ndryshme vit pas viti. Me rritjen e BLOconomy-t, shtohet edhe portofoli i iniciativave që kemi në “shportën” tonë. Një nga KPI-të kryesore që përdorim si njësi matëse është emri i mirë që brandi ka në treg.

 

Për sa i përket “40 under 40,” suksesi matet me numrin e sipërmarrësve të nominuar përmes kanaleve tona të komunikimit online. Në edicionin e fundit kemi pasur 1,500 nominime.

 

Në Entrepreneur Club, suksesi matet me numrin e sipërmarrësve që rikthehen çdo vit për t’u ri-anëtarësuar në paketat tona, apo edhe sugjerimet për anëtarësim që marrim nga anëtarët aktual duke e sugjeruar tek miqt e tyre.

Në Albanian Global: Venture Story, suksesi matet me numrin e sipërmarrësve të nominuar në këtë iniciativë.

  1. Cilat kanë qenë disa nga fitoret më të mëdha të angazhimit tuaj?

Kemi qenë të lumtur që ekosistemit tonë të sipërmarrësve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut i kemi prezantuar sipërmarrës që po bëjnë një punë të mrekullueshme, por që nuk kishin pasur mundësinë të promovonin veten. I kemi sjellë tregut histori suksesi dhe dështimi që frymëzojnë, duke krijuar figura të reja sipërmarrësish në ekosistem.

Po ashtu, po japim kontributin tonë në ekosistem për të rritur kapacitetet e sipërmarrësve të rinj që dëshirojnë të zgjerohen në tregje jashtë Shqipërisë, si dhe të sipërmarrësve shqiptarë që jetojnë jashtë dhe duan të investojnë në Shqipëri. Ne ofrojmë shërbime për sipërmarrësit në një qasje të plotë 360 gradë.

  1. Çfarë këshillash financiare do t’i jepnit një sipërmarrësi të ri?

Qëndroni të fokusuar. Studioni mirë tregun ku po futeni dhe keni besim tek produkti apo shërbimi që ofroni.
Gjithashtu, promovoni sa më shumë veten dhe produktin që shisni. Klienti, herë pas here, ka nevojë të dijë se kush fshihet pas këtij produkti të mirë në treg.

  1. Cili është vizioni juaj për kompaninë në 5-10 vitet e ardhshme?

Të zgjerojm listën e shërbimeve që ofrojmë për sipërmarrësit tanë dhe të krijojmë një rrjet të gjerë sipërmarrësish në çdo shtet ku ka sipërmarrës shqiptarë. Po ashtu, të rrisim përqindjen e kompanive të reja që krijohen në treg, falë bashkëpunimeve që lindin nga sipërmarrësit e Entrepreneur Club.

  1. Cfarë këshillash do t’u jepnit të rinjve shqiptarë që duan të krijojnë startup-e apo të angazhohen në teknologji?

Mos mendoni dy herë nëse duhet apo jo të hyni në treg. Ndiqni online në YouTube +40 podcastet që BLOconomy (BLOconomy Albania) ka realizuar me sipërmarrës shqiptarë nga rajoni, dhe mbi 70% e tyre thonë: “Jam penduar që nuk e nisa më herët rrugëtimin tim në biznes.” Nëse ti që po lexon këtë intervistë je në dilemë, mos e mendo dy herë. Pavarësisht çdo vështirësie, pak por e sigurt, do mësosh shumë nga ky rrugëtim.

Dhe siç e ka thënë edhe Stive Jobs “Stay Hungry, Stay Foolish”.