Home » Boralda Minaj
Ecosystem Unplugged është një nismë që promovon sipërmarrësit vendas që ndihmojnë në forcimin e ekosistemit tonë.
Duke i ftuar themeluesit t'u përgjigjen disa pyetjeve, ne duam të hedhim dritë mbi historitë dhe modelet më frymëzuese të ekosistemit.
Shpresojmë që duke u ofruar themeluesve të startup-eve një hapësirë për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, ne të gjithë do të mësojmë dhe do të rritemi së bashku.
Mund të na tregoni pak për veten tuaj dhe si lindi ideja për të sjellë Slushd në Tiranë?
Unë jam Boralda Minaj dhe, bashkë me motrën time, Enxhi Minaj, jetojmë dhe punojmë në Helsinki, Finlandë, ku të dyja jemi pjesë e ekosistemit të inovacionit dhe startupeve. Me pasionin dhe dëshirën për të sjellë një frymë të re në Shqipëri, ne besuam se ky ishte momenti i duhur për të kontribuar në progresin e ekosistemit të inovacionit në vendin tonë.
Përvoja ime në Helsinki si përgjegjëse për fushatat e marketingut digjital për Junction Hacakathon main event dhe e Enxhit si pjesëmarrëse dhe fituese e sfidës të “Microsoft”, në një nga eventet më të mëdha të teknologjisë në Europë, ka qenë një motiv i fortë për këtë nismë. Junction sjell në Helsinki cdo vit mbi 2,000 talente nga e gjithe bota, në disiplina si programim, inxhinieri softuerike, menaxhim projektesh dhe dizajn, duke ofruar mundësi për të krijuar zgjidhje inovative për problematikat që deri tani kanë gjetur zgjidhje vetëm manualisht, për të identifikuar talentet dhe idetë më të mira inovative dhe duke i ndihmuar ata që këto ide ti kthejnë në Startupe ku më pas të financohen nga Slush. Ideja për të sjellë një pjesë të këtij konkursi Internacional në Shqipëri lindi nga dëshira për të ndihmuar komunitetin tonë dhe për të ofruar një eksperiencë ndërkombëtare për talentet Shqiptare.
Vendosëm ta sillnim ketë event në Shqiperi, dhe të organizonim një edicion të parë të JunctionX në Tiranë, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, veçanërisht nga Z. Arbian Mazniku, partnerëve dhe angazhimit shumë të madh të të gjithë ekipit tonë. Ky suksesi i këtij eventi të parë na rendit në Top 3 eventet më të mira të JunctionX në Europë, duke na dhënë besimin për të ndërmarrë hapa edhe më të mëdha.
Falë këtij suksesi erdhi propozimi nga ekipi organizativ i grupit në Finlandë, për të sjellë Slush në Tiranë. Slush është një nga eventet më të rëndësishme globale për founder-ët dhe investitorët ku mbledh rreth 13,000 pjesëmarrës cdo vit. Kjo si një mundësi për t’i hapur Shqipërisë një derë të re drejt zhvillimit të ekosistemit startup dhe inovativ.
Fillimisht, ishim të emocionuar që Finlanda e shihte Shqipërinë si një vend me potencial për të organizuar një nga eventet më të mëdha në botë për founder-at dhe investitorët, por njëkohësisht ishim skeptike nëse Shqipëria ishte gati për këtë lloj eventi. Megjithatë, vendosëm ta sjellim në Shqipëri këtë mundësi për të shënuar një hap të madh drejt inovacionit. Me mbështetja e institucioneve vendase, veçanërisht e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës, Inovacionit, gjithashtu Bashkisë Tiranë, Protik dhe partnereve ( Balfin Group, Bolv Group dhe Credins Bank), e bëmë të mundur realizimin me sukses të TIRANA SLUSH’D dhe ta përfaqësonim denjësisht vendin tonë.
Ky event ju dha gjithashtu mundësinë dy startupeve fituese “Bliss” dhe “Patoko” të zhvillohen më tej në Finlandë, me synimin për të krijuar ‘Unicorn’-in e parë nga Tirana Slush´D për Shqipërinë. Në këtë mënyrë, ne besojmë se po kontribuojmë në avancimin e ekosistemit inovativ të vendit, duke i dhënë Shqipërisë një shtysë të re drejt progresit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Cilat ishin sfidat më të mëdha që përballët gjatë organizimit të këtij eventi në Shqipëri?
Realiteti është se Shqipëria është në hapat e parë të zhvillimit të një ekosistemi të konsoliduar start-up-esh dhe kërkon një kulturë të qëndrueshme biznesi për të përfituar plotësisht nga ngjarje të këtij niveli. Për të kapërcyer këtë sfidë, na u desh një kohë dhe punë e madhe për të informuar, ndërtuar besimin dhe për të bindur komunitetin lokal edhe investitorët ndërkombëtarë, se Shqipëria është e gatshme të mirëpresë një event të kësaj rëndësie. Kjo përfshiu një punë intensive për inkurajimin e pjesëmarrjes së startupeve nga Shqipëria dhe Kosova në event, përzgjedhjen e startupeve që ishin gati për të bërë pitch në skenë, trajnimin e tyre nga mentori Finlandez për disa javë rrjesht dhe “injektimin” e një kulture meritokracie për Startupet që do të shkonin në top 10 finalistë.
Në përfundim, të gjitha këto sfida u kthyen në mësime të vlefshme për ne dhe ekipin tonë, duke na dhënë përvojë që do të shërbejë si bazë për të përmirësuar organizimet e ardhshme dhe për zhvillimin e mëtejshëm të ekosistemit të inovacionit në Shqipëri.
Si ka qenë reagimi i komunitetit të startup-eve dhe biznesit në Shqipëri ndaj këtij eventi?
Reagimet ndaj TIRANA SLUSH’D kanë qenë të ndryshme. Fillimisht u prit me një skepticizëm të kuptueshëm deri diku, për efektin që do të kishte ky event. Ashtu sic edhe u mirëprit dhe mbështe masivisht nga autoritete vendase dhe nga disa nga kompanitë më të mëdha në Shqipëri që përqafojnë dhe suportojnë Inovacionin si: Balfin Group, Bolv Group dhe Credins Bank. Në përgjithësi, eventi ishte një mundësi unike për të shfaqur potencialin dhe ambicien e ekosistemit shqiptar në një platformë ndërkombëtare.
Për shumë nga startup-et pjesëmarrese, ky event ishte një mundësi për t’u njohur me standardet, praktikat dhe investitoret ndërkombëtare. Për të mësuar nga ekspertët e huaj dhe zhvilluar aftësi të rëndësishme në prezantim dhe menaxhim. Nga ana tjetër, investitorët dhe mentorët e pranishem panë një potencial të madh për zhvillim dhe bashkëpunim të mëtejshëm.
Eventi krijoi gjithashtu një atmosferë të fortë networking-u, ku shumë ide për bashkëpunime të reja dhe projekte inovative lindën. Në përgjithësi, TIRANA SLUSH’D ka nxitur një optimizëm të ri në ekosistemin e startupeve shqiptare për mundësitë e ardhshme dhe zhvillimet e metjeshme në inovacion.
Çfarë ndikimi shpresoni të ketë Slushd në ekosistemin e inovacionit dhe teknologjisë në Shqipëri?
Ne shpresojmë që TIRANA SLUSH’D të ketë sjelle një fryme të re në zhvillimin e ekosistemit të sipermarrjes, inovacionit dhe teknologjisë në Shqipëri, duke krijuar gjithashtu ura lidhese mes startup-eve vendase dhe investitorëve, mentorëve ndërkombëtarë. Një nga synimet kryesore është të ndihmojmë startup-et shqiptare të rriten dhe të nxjerim sa më shumë “Unicorn-a” Shqiptarë.
Gjithashtu, ne synojmë të kontribuojmë në krijimin e një kulture të qëndrueshme inovacioni dhe meritokracie, ku idetë e reja dhe zgjidhjet inovative mund të mbështeten dhe lulezojnë. Duke sjellë një event si SLUSH në Shqipëri, shpresojmë të frymëzojmë brezin e ardhshëm të sipërmarrësve dhe të nxisim një rrjet më të fuqishëm mbështetës për teknologjinë dhe inovacionin në vend.
A pati ndonjë moment që ju surprizoi gjatë organizimit apo zhvillimit të eventit?
Po, pati disa momente që na surprizuan për mirë. Ndërsa në fillim prisnim një qasje më kritike, u surprizuam kur pamë se sa shpejt start-up-et, partnerët lokalë, investitoret dhe te ftuarit u angazhuan, “aty u shkri akulli” dhe madje tejkaluan pritshmëritë tona për gjithë serjozitetin e përgatitjeve, profesionalizmin për pitch dhe gjykimin e drejte për të shpallur me meritokraci fituesit, entuziazmin që treguan dhe feedbackun pozitiv qv dhanë për të motivuar këtë përpjekje të pare, të kesaj nisme për shqiperinë.
Gjithashtu, fituan vëmendjen e investitorëve të huaj, gjë që e konsiderojmë një sukses të madh për një event që mbahet për herë të parë në Shqipëri. Ky interes na surprizoi dhe na tregoi se ekosistemi i inovacionit në Shqipëri ka potencial të jashtëzakonshëm për të ofruar.
A keni marë mbështetje nga institucionet lokale apo ndërkombëtare për realizimin e këtij eventi? Nëqoftëse PO mund të na i tregoni?
Po, për organizimin e TIRANA SLUSH’D kemi marrë mbështetje të konsiderueshme nga institucionet lokale vecanerisht nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe Bashkia e Tiranës, të cilët kanë luajtur një rol thelbësor në mbështetjen logjistike, dhenien e cmieve fituese dhe promovimin e eventit. Ata ndihmuan në krijimin e një mjedisi mbështetës për të sjellë këtë event ndërkombëtar në Shqipëri dhe për të ngritur nivelin e standardeve.
Gjithashtu, Protik partneri jone konsulent, në bashkëpunim me Startup Albania na kane mbështetur në koordinimin me ekosistemin local, me anetaret e qeverise, me talentet dhe startupet e reja. Në nivel ndërkombëtar, kemi pasur mbështetje nga partnerët tanë si Business Finland dhe Ambasada e Finlades për Shqiperinë, të cilët mundësuan sjelljen e disa investitoreve, spikerve dhe mentoreve ndërkombëtarë. Këto bashkëpunime na kanë lehtësuar realizimin e eventit dhe kanë krijuar një bazë të fortë për bashkëpunime të ardhshme në zhvillimin e ekosistemit të inovacionit në vend.
Si e shihni zhvillimin e mëtejshëm të këtij eventi në Shqipëri? A planifikoni ta organizoni përsëri në vitet në vijim?
Ne e shohim TIRANA SLUSH’D si një event me potencial për t’u kthyer në një traditë të rëndësishme vjetore në Shqipëri. Suksesi i edicionit të parë na ka dhënë motivim dhe besim për të vazhduar me organizimin e tij edhe në të ardhmen. Duke parë entuziazmin dhe mbështetjen që morëm nga anetaret e qeverise, ambasadat Finlandeze dhe Swedeze, komuniteti i startupeve, investitorët dhe partnerët lokale dhe atyre ndërkombëtarë dhe interesin e studenteve per tu bere pjese e konferences, besojmë se ky event mund të luajë një rol kyç në zhvillimin e mëtejshëm të ekosistemit të inovacionit në Shqipëri.
Në të ardhmen, synojmë të zgjerojmë përmasat e eventit, të përfshijmë më shumë startup-e nga rajoni dhe të ofrojmë më shumë mundësi për trajnime, mentorim dhe me shume investitorë ndërkombetare. Ne po ashtu shpresojmë që mbështetja nga institucionet dhe partnerët të vazhdojë të rritet, duke na ndihmuar ta forcojmë më tej këtë platformë për zhvillimin e inovacionit dhe teknologjisë në vend.
Çfarë këshillash do t’u jepnit të rinjve shqiptarë që duan të krijojnë startupe apo të angazhohen në teknologji?
Një startup i suksesshëm nis gjithmonë nga një problem i vërtetë, prandaj kërkoni zgjidhje inovative për problemet reale. Guxoni t’i realizoni këto ide, mos u dorëzoni përballë sfidave pasi ato janë nje mundesi shume e mirë për të mësuar dhe përmirësuar idetë tuaja dhe mendoni me perspektivën që të keni ndikim jo vetëm në tregun lokal por edhe atë ndërkombëtar.
Një element tjetër kyç që do doja të theksoja është ndërtimi i një ekipi të fortë dhe të përkushtuar, që ndan të njëjtin vizion dhe plotëson aftësitë tuaja.
E fundit këshillë është të mos nguroni të merrni pjesë në evente dhe konkurse që sjellin risi dhe ofrojnë mundësi financimi. Shqipëria po zhvillon gjithashtu një ekosistem mbështetës për sipërmarrësit e rinj, ndaj qëndroni të përditësuar dhe kapni çdo mundësi që ju ndihmon të ecni përpara.
Cilat janë disa nga risitë ose tendencat më interesante që keni parë gjatë Slushd dhe që mund të kenë një impakt të rëndësishëm për bizneset në rajon?
Këto tendenca jo vetëm që nxisin konkurrencën dhe zhvillimin, por gjithashtu krijojnë mundësi të reja për rajonin si pjesë aktive e ekosistemit global të inovacionit.
Si ndikon pjesëmarrja në një event të tillë në njohuritë dhe aftësitë e një individi për të zhvilluar idetë e tij?
Pjesëmarrja në një event si Slush’d apo cdo event tjetër që ka në focus inovacionin ndihmon në zhvillimin e ideve dhe aftësive të individëve. Ky lloj eventi ofron mundësi për networking me ekspertë, investitorë, mentorë Shqiptare dhe ndërkombëtare, duke përmirësuar idenë e startup-it dhe aftësitë e prezantimit në pitch. Pjesëmarrësit mund të mësojnë nga përvojat e të tjerëve, të kuptojnë nevojat e tregut dhe të identifikojnë mundësi të reja. Gjithashtu, këto evente rrisin besimin dhe mundësitë për të tërhequr mbështetje financiare dhe bashkëpunime strategjike.