Home » Geart Ferhati
Ecosystem Unplugged është një nismë që promovon sipërmarrësit vendas që ndihmojnë në forcimin e ekosistemit tonë.
Duke i ftuar themeluesit t'u përgjigjen disa pyetjeve, ne duam të hedhim dritë mbi historitë dhe modelet më frymëzuese të ekosistemit.
Shpresojmë që duke u ofruar themeluesve të startup-eve një hapësirë për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, ne të gjithë do të mësojmë dhe do të rritemi së bashku.
Unë jam Geart Ferhati, një sipërmarrës 18-vjeçar nga Tirana. Pasioni im për teknologjinë dhe inovacionin filloi që në moshë të re, kur krijova projektin tim të parë në programim në moshën 12-vjeçare. Sot, si themelues i disa projekteve që ndikojnë mbi 300 mijë individë, përfshirë platformën edukative Suapr.com, jam i përkushtuar të sjell ndryshime pozitive në jetën e të rinjve dhe të ndihmoj në fuqizimin e ekosistemit të teknologjisë dhe sipërmarrjes në Shqipëri. Në vijim, do të ndaj historinë dhe mësimet që kam mësuar gjatë këtij udhëtimi.
Ideja për të krijuar Suapr.com lindi nga një problem që pashë te vetja dhe shokët e mi në shkollë: mungesa e materialeve për të mësuar në mënyrë të pavarur. Mësuesit tanë janë të ngarkuar me mbi 300 nxënës, dhe kurset private nuk janë të përballueshme për të gjitha familjet shqiptare. Mendova të përdor aftësitë e mia për të krijuar një zgjidhje teknologjike që do të ndihmonte nxënësit të mësojnë më mirë dhe në mënyrë më efiçente lëndët shkencore përmes një platforme që integron inteligjencen artificiale në kurrikulën e çdo nxënësi, duke analizuar dijet e tyre dhe duke i treguar rrugën se si mund të permirësohen. Kjo ide nuk ishte thjesht një projekt; ishte një mision për të ndihmuar brezin tim të zhvillohej intelektualisht dhe të shmangte të gjitha problemet që përmenda më siper.
Themelimi i Suapr.com ka qenë një shkollë më vete. Kam mësuar të ndërtoj një ekip të fortë, të menaxhoj sfida financiare dhe të zhvilloj një vizion afatgjatë. Eksperienca më ka mësuar rëndësinë e fleksibilitetit, vendimmarrjes së shpejtë dhe fuqisë së një komuniteti që ndan të njëjtin vizion. Çdo hap me Suapr.com më ka treguar se çdo ëndërr e madhe fillon me hapa të vegjël dhe të guximshëm. Kam mësuar se lideri i mirë nuk është ai që ka të gjitha përgjigjet, por ai që krijon një ekip të bashkuar për të kërkuar zgjidhje. Kjo eksperiencë më ka bërë të kuptoj se sfidat nuk janë pengesa, por shkallë për tu ngjitur më lart.
Një nga sfidat më të mëdha ishte ndërtimi i besimit të përdoruesve në një platformë të re. Si një i ri 17-vjeçar, duhej të fitoja kredibilitet dhe të tregoja se Suapr.com ofronte vlerë të shtuar. Zgjidhja ime ishte thjeshtë: dëgjimi i vazhdueshëm i përdoruesve dhe përmirësimi i produktit bazuar në nevojat e tyre. Gjithashtu, ndërtova një rrjet mbështetjeje nga mentorë dhe profesionistë që më ndihmuan të formoj strategji të qarta për zhvillimin e platformës.
Misioni ynë është ai që na bashkon. Unë besoj se çdo anëtar i ekipit është i rëndësishëm dhe ka diçka unike për të ofruar. Kur krijon një kulturë ku njerëzit ndihen të vlerësuar dhe të dëgjuar, ata japin më të mirën e tyre. Bashkë ndajmë sukseset, por edhe kur përballemi me sfida, ne nuk tërhiqemi, por shohim mundësitë se si mund te përpiqemi të gjithë bashkë për ti zgjidhur ato.
Për mua, suksesi nuk është thjesht një numër apo një vlerësim financiar. Suksesi është kur një nxënës më shkruan dhe thotë: “Faleminderit, Suapr.com më ndihmoi të kuptoj atë që më dukej e pamundur.” Është ndjenja që po ndërtojmë diçka që ka kuptim dhe që do të vazhdojë të ndikojë jetën e nxënësve edhe shumë vite më vonë. Ne e masim këtë ndikim përmes historive që dëgjojmë dhe përmes rezultateve që arrijnë përdoruesit tanë.
Fitoret më të mëdha për mua nuk janë vetëm çmimet apo njohjet ndërkombëtare, por ndikimi dhe komuniteti që kemi ndërtuar së bashku. Gjithsesi, disa momente kulmore që më kanë frymëzuar për të ecur përpara janë:
Këto arritje janë kujtimi se gjithçka fillon me një ide dhe një guxim për të vepruar. Kur ndërtuam Suapr.com, nuk ishte thjesht një platformë – ishte një ëndërr për të transformuar jetët e të rinjve. Dhe sot, kur shoh atë që kemi arritur, jam më i motivuar se kurrë për të çuar këtë vizion përpara.
Kujto gjithmonë se buxheti është një vegël, jo një kufizim. Përballë çdo sfide, shikoje buxhetin si një mjet që të ndihmon të ndërtosh ëndrrën tënde, jo si një pengesë që të ndalon. Investo me mençuri dhe strategji, duke vendosur përparësi aty ku ndikimi do të jetë më i madh dhe më i rëndësishëm.
Përqendrohu në krijimin e një produkti që klientët jo vetëm e duan, por edhe e vlerësojnë aq shumë sa janë gati të paguajnë për të. Kur ofron diçka që përmirëson jetën e njerëzve, të ardhurat nuk janë më thjesht një objektiv – ato bëhen një pasqyrim i vlerës që ke sjellë. Ndërto me pasion dhe përkushtim, dhe suksesin do ta ndjesh në çdo hap të rrugëtimit.
Unë e shoh Suapr.com si një platformë që do të ndihmojë miliona nxënës në mbarë botën, duke revolucionarizuar mënyrën se si mësojmë. Dua të krijoj një ekosistem ku teknologjia bëhet partner i njeriut, duke ndërtuar një të ardhme ku çdo nxënës, pavarësisht nga rrethanat e tij, ka mundësinë të arrijë potencialin e tij maksimal.
Besoni në veten tuaj. Nuk ka rëndësi ku jeni; rëndësi ka ku doni të shkoni.
Filloni tani. Ideja më e mirë në botë është e kotë nëse nuk merrni veprime.
Gaboni dhe mësoni. Çdo pengesë është një mundësi për të mësuar diçka të re.
Mos kini frikë të ëndërroni. E ardhmja u përket atyre që guxojnë ta imagjinojnë dhe ta krijojnë atë.
Në fund të ditës, çdo sfidë, çdo arritje dhe çdo hap që hedhim drejt suksesit është një dëshmi e potencialit të pakufizuar që secili prej nesh ka brenda vetes. Për mua, suksesi nuk matet vetëm me çmime apo njohje, por me impaktin që arrijmë të krijojmë në jetët e njerëzve dhe në komunitetin që ndërtojmë. Besoj fort se e ardhmja është në duart tona – të rinj të guximshëm, të vendosur për të ndryshuar botën.
Faleminderit për mundësinë për të ndarë historinë time.