Home » Linda Shomo
Ecosystem Unplugged është një nismë që promovon sipërmarrësit vendas që ndihmojnë në forcimin e ekosistemit tonë.
Duke i ftuar themeluesit t'u përgjigjen disa pyetjeve, ne duam të hedhim dritë mbi historitë dhe modelet më frymëzuese të ekosistemit.
Shpresojmë që duke u ofruar themeluesve të startup-eve një hapësirë për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, ne të gjithë do të mësojmë dhe do të rritemi së bashku.
Si ju ka ndihmuar karriera juaj me themelimin e biznesit tuaj?
11 vitet e fundit duket sikur kanë fluturar për ne në EasyPay. Më duket sikur të ishte dje, kur gjithçka filloi të merrte formë!
Krijimi i një biznesi të ri nuk është e thjeshtë, duhet të mendosh për cdo gjë tjetër përvec idesë: implementimin e strategjive, organizimin e logjistikës, stafit dhe procedurave; aktiviteteve të marketingut e atyre komercial, etj etj.
Gjithmonë kam qenë dhe ende jam shumë e përfshirë në çdo sektor të biznesit tim. Background-i im (IT dhe Manaxhim) dhe karriera ime disa vjeçare në sektorin bankar dhe atë financiar, më japin të gjithë njohuritë dhe fleksibilitetin për të kuptuar nëse diçka nuk është aty ku duhet të jetë. Gjithashtu, vitet e shumta të eksperiencës në këtë sektor të ndihmojnë me rrjetin e gjerë të kontakteve, të cilët janë mjaft të nevojshëm sot, veçanërisht kur je ndër gratë e pakta në këtë treg i cili është i dominuar nga burrat!
Cilat kanë qenë disa nga sfidat më të mëdha për ju?
Në një sektor të ri për tregun, përveç mundësive që të jepen kur hyn si i pari në treg, sfidat janë të pafundme. Sfida ka çdo ditë, në çdo sektor, duke filluar në sfidat e brëndshme organizative ashtu edhe sfidat e jashtme në aspektin regulative, konkurencës, marketingut, çështjet me konsumatorin, etj.
Megjithatë, nëse do ti ndaja në kohë, do të thoja që sfida më e madhe dhe e parë e aktivitetit tonë, përgjatë 5-7 viteve ka qëne Edukimi i Tregut / Edukimi Financiar. Të ndërrosh mentalitetin e konsumatorëve shqiptar (qoftë në aspektin B2B ashtu edhe në atë B2C), është një sfidë e madhe e cila kërkon përveç burimeve financiare edhe burime njerëzore të posaçme. Ndërsa, përsa i përket viteve të fundit, sfida më e madhe lidhet me integrimin e Easypay me sektorin bankar, përshtatja me ndryshimet regullative dhe hyrjen në fuqi të Ligjit të ri të pagesave (PSD2), e cila pritet të sjellë ndryshime thelbësore në sektorin ku në operojmë.
Sfidë tjetër e madhe në sektorin tonë është dhe mungesa e aftësive në treg, sidomos atyre në ICT. Meqënëse operojmë si Fintech, fjala Tech është në bërthamën e asaj cfarë ne bëjmë, kështu që ne na duhet të jemi tërë kohës në pararojë të inovacionit dhe për këtë na duhen staf shumë i mirë në ICT, sidomos në zhvillim softëare por tregu aktualisht po përjeton një krizë në këtë sektor.
Sido që të jenë sfidat, ato në vetvete e bëjnë jetën e një biznesi të larmishëm dhe e tillë ka qenë jeta këto 11 vite në EasyPay! Ndërkohë kur i kapërcen, pjesë-pjesë, ndjehesh shumë krenare dhe të jep adrenaline.
Cilat kanë qenë disa nga fitoret më të mëdha të angazhimit tuaj?
Fitorja më e madhe për mua si CEO është krijimi i një kulture kompanie që në thelb ka Njerëzit! Stafi është motorri kryesor i EasyPay dhe të shohësh çdo ditë, me dhjetra të rinj që punojnë me pasion e devotshmëri për EasyPay, është fitorja ime më e madhe! Aktualisht sot jemi 45 veta staf në Easypay dhe manaxhojmë një rrjet të gjerë prej më shumë se 500 agjentë të Easypay që janë biznese të vogla dhe të mesme në tërë Shqipërinë, të cilët bashkëpunojnë me Easypay çdo ditë. Këto 11 vite jemi krenarë që i kemi shërbyer 1.2 milion klientave.
Cilat janë produktet më inovative që keni hedhur në treg?
Krijimi i platformës digjitale të pagesave; aplikacionit të parë shqiptar të pagesave online (komplet i bere „in-house“ nga stafi Easypay); portofoli prej më shumë se 40 shërbimesh pagesash online në këtë aplikacion, zhvillimi i shërbimeve si Transferta parash me celulare, nga një përdorues EasyPay në një tjetër (PeerToPeer), pagesat me QR të eventeve madhore në Shqipëri dhe të tjera si këto, janë shërbime të krijuara nga stafi i mrekullueshëm i EasyPay, që janë krijuar sipas nevojave të bizneseve dhe konsumatorëve vendas. Sfida jonë e përditshme është shtimi i këtyre shërbimeve të pagesave, me një click dhe në të njëjtën kohë shtimi i klientave që besojnë në produktet tona dhe i përdorin ata çdo ditë.
Ndërkohë që qeveria dhe biznesi po tenton të shkojë çdo ditë e më shumë drejt digjitalizmit, ne tentojmë çdo ditë e më shumë ti ndjekim me pagesa dhe transferta digjitale (ose sic quhen ndryshe “pagesa në kohë reale”)
Cilat janë disa nga nevojat specifike të EasyPay?
Siç e përmënda dhe më parë, sfida më e madhe e EasyPay eështë edukimi i tregut dhe konsumatorëve. Në këtë pjesë, nevojitet ndihma dhe suporti i të gjithë aktorëve privatë si dhe atyre shtetërorë për të edukuar brezin e ri rreth financave personale dhe inovacionit që sjell tregu për t’ia bërë jetën më të thjeshtë konsumatorit shqiptar.
Nevojë tjetër është mbështetja e qeverisjes lokale për të mbështetur shërbimet inovative të pagesave siç është Easypay në mënyrë që të gjitha shërbimet e bashkive të digjitalizohen dhe të mund të paguhen me celularë nga qytetarët. Vlen këtu të përmendet historia e suksesit që kemi pasur me Bashkinë e Tiranës ku ne aktualisht ofrojme shumë lloj pagesash të kësaj bashkie si psh: kopshtet, taksat, faturat e ujit, gjobat e Bashkisë, etj por gjithashtu kemi qenë partnerë në realizimin e eventeve të rëndesishme siç është Maratona e Tiranës ku biletat janë shitur çdo vit komplet online, nga të gjitha kanalet e ofruara nga Easypay. Shpresojmë shumë që dhe bashkitë e tjera të ndjekin shembullin e Bashkisë së Tiranës në drejtimin e digjitalizimit.
Nevoje tjetër është mbështetja në identifikimin e të rinjve të talentuar, sidomos në fushën e ICT dhe punësimi i tyre në Easypay. Edhe në këtë drejtim kemi pasur projekte të përbashkëta me Bashkinë Tiranë, fokusuar në punësimin e të rinjve të kryeqytetit dhe tashmë kemi në stafin tonë të rinj që janë punësuar nga këto projekte. Po ashtu kemi në grup praktikantë dalë nga aktivitetet e Drejtorisë së Inovacionit, Bashkia Tiranë dhe zhvillohen profesionalisht në Easypay, duke u specializuar në fushën Fintechs për të ardhmen.
Përse keni zgjedhur Tiranën për të themeluar dhe rritur biznesin tuaj?
Si kryeqytet i Shqipërisë, Tirana është një qytet i madh rinor me një treg të madh prej më shumë se 1 milion banorëve dhe me mundësi pafund!
Audienca e synuar e EasyPay janë kryesisht rinia, brezi që çdo gjë po e bën tashmë me celularë, ata që kanë preferencë dhe dëshirë për të eksploruar teknologji të reja, ata që janë avantgardë në gjërat që përdorin dhe të gjithë këta i gjen lehtësisht në Tiranë.
Tregu i synuar është arsyeja e parë e vendosjes së biznesit në Tiranë, por nuk mund të lejmë pa përmëndur edhe faktin se në kryeqytet janë të vendosura edhe selitë e partnerëve tanë kryesorë, sic jane bankat, telekomunikacioni, etj. Po ashtu dhe 1/3 e rrjetit të agjentëve tanë operojnë në Tiranë dhe në rrethinat e saj.
Cilat janë objektivat e EasyPay për 3 vitet e ardhshme?
Nga njëra anë, ne në EasyPay synojmë të vijojmë me zhvillimin dhe rritjen e shërbimeve të portofolit tonë, duke iu përgjigjur nevojave të tregut vendas dhe duke mbajtur pozicionin e leaderit në tregun Fintech në Shqipëri. Nga ana tjetër, synojmë të arrijmë së shpejti zgjerimin territorial në të gjithë trevat ku ka shqiptarë dhe të sjellim shërbime që i vijnë në ndihmë edhe diasporës shqiptare.