Home » Orgito Baraj
Ecosystem Unplugged është një nismë që promovon sipërmarrësit vendas që ndihmojnë në forcimin e ekosistemit tonë.
Duke i ftuar themeluesit t'u përgjigjen disa pyetjeve, ne duam të hedhim dritë mbi historitë dhe modelet më frymëzuese të ekosistemit.
Shpresojmë që duke u ofruar themeluesve të startup-eve një hapësirë për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, ne të gjithë do të mësojmë dhe do të rritemi së bashku.
Fillimisht, kam tentuar të ndërtoj një version të Amazon për Ballkanin, duke u frymëzuar nga Jeff Bezos. Ishte një projekt ambicioz, por për shkak të moshës sime të re dhe sfidave me nivelin e ulët të njohurive teknologjike në rajon në vitin 2019, platforma nuk pati sukses. Megjithatë, kjo përvojë më ndihmoi të kuptoj pasionin tim të vërtetë për teknologjinë dhe nevojën për të ndihmuar individët dhe bizneset që kërkonin zgjidhje teknologjike inovative.
Personi që më motivoi të filloj të mësoj kodimin dhe të ndjek këtë rrugë ka qenë mësuesja ime e informatikës, Olta, të cilën e takova në vitin e parë të gjimnazit. Ajo më nxiti të kuptoj rëndësinë dhe potencialin e teknologjisë, gjë që ndikoi në formimin e vizionit tim për të ardhmen. Kjo përvojë ishte një pikë kthesë që më frymëzoi të krijoj Idealdevs, me një mision për të sjellë vlera të qëndrueshme në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në fillim, ishte shumë e vështirë, sepse nuk dija sesi punohej dhe si menaxhohej një biznes. Në atë kohë isha vetëm 17 vjeç dhe mundësitë për zhvillim në aspektin e teknologjisë dhe biznesit në qytetin e Fierit ishin shumë të pakta. Por kam besuar gjithmonë fort se me punë të vazhdueshme dhe pa u dorëzuar, gjithçka mësohet dhe përmirësohet. Gjatë rrugëtimit tim, kam kuptuar se shumë gjëra i mëson dhe i rregullon në praktikë, ndërsa përparon drejt qëllimeve të tua.
Sfida më e madhe ishte gjetja e klientëve të parë dhe ndërtimi i një ekipi të besueshëm. Ishte e vështirë të bindje bizneset të besonin në një kompani të re dhe të një individi të ri. Për ta tejkaluar këtë, u përqendrova te ndërtimi i marrëdhënieve të forta dhe te dorëzimi i projekteve me cilësi të lartë. Me kohën, klientët e kënaqur filluan të na rekomandonin, duke ndihmuar në krijimin e një reputacioni pozitiv.
Ekipi ynë menaxhohet përmes komunikimit të hapur dhe përdorimit të mjeteve teknologjike si Asana dhe Slack, të cilat ndihmojnë në organizimin dhe mbajtjen e qëllimeve të qarta. Gjithashtu, kam krijuar një kulturë bashkëpunimi ku çdo anëtar ndjen përgjegjësi për suksesin e projekteve. Nëpërmjet trajnimeve dhe vlerësimeve të vazhdueshme, sigurohemi që të gjithë të jenë të përqendruar në objektivat afatgjata.
Suksesi për mua dhe Idealdevs matet nga ndikimi që kemi tek klientët tanë dhe vlera që sjellim për ta. Çdo projekt i realizuar me sukses dhe çdo klient i kënaqur janë treguesit tanë kryesorë të suksesit. Gjithashtu, rritja e ekipit dhe zgjerimi i shërbimeve tona në tregje ndërkombëtare janë shenja të tjera të arritjeve tona.
Suksesi i treguar në projektet ndërkombëtare ka qenë një nga arritjet më të rëndësishme, pasi këto projekte kanë sjellë vlera të shtuar për klientët tanë. Një tjetër arritje madhore është hapja e zyrës në Tiranë, e cila ka kontribuar në rritjen e pranisë sonë në tregun lokal dhe ndërkombëtar. Po ashtu, ndërtimi i një ekipi profesional dhe të përkushtuar ka qenë një tjetër sukses që na ka mundësuar të realizojmë projekte me standarde të larta.
Planifikimi i kujdesshëm i financave është thelbësor. Këshilla ime është që të investoni aty ku ka potencial për rritje afatgjatë dhe të mbani gjithmonë një rezervë për situata të paparashikuara. Gjithashtu, shpenzimet për marketing dhe zhvillim të produkteve duhet të jenë pjesë e planit tuaj që nga fillimi.
Vizioni im për Idealdevs është që kompania të jetë e listuar në mesin e kompanive më të mira softuerike në Europë. Po ashtu, synoj të zgjerojmë shërbimet tona për të përfshirë teknologji të avancuara si inteligjenca artificiale dhe analiza e të dhënave. Në të ardhmen, dua që Idealdevs të jetë një pikë referimi për startup-et dhe bizneset që kërkojnë zgjidhje inovative në nivel global.
Besoni në vetvete dhe filloni sot, pavarësisht burimeve që keni. Teknologjia ofron mundësi të pafundme, por kërkon përkushtim dhe punë të palodhshme. Krijoni rrjete kontakti, mësoni vazhdimisht dhe fokusohuni në krijimin e zgjidhjeve që sjellin vlera reale për tregun. Mos kini frikë të dështoni – çdo dështim është një hap më afër suksesit.