Home » Stavri Pici
Ecosystem Unplugged është një nismë që promovon sipërmarrësit vendas që ndihmojnë në forcimin e ekosistemit tonë.
Duke i ftuar themeluesit t'u përgjigjen disa pyetjeve, ne duam të hedhim dritë mbi historitë dhe modelet më frymëzuese të ekosistemit.
Shpresojmë që duke u ofruar themeluesve të startup-eve një hapësirë për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, ne të gjithë do të mësojmë dhe do të rritemi së bashku.
Si ju ka ndihmuar karriera juaj me themelimin e biznesit tuaj?
Rrugëtimi i formimit tim universitar nis në Romë, pranë Universitetit “Sapienza Università di Roma” para rreth dy dekadash, ku pata mundësinë të studioj në degën Inxhinieri Informatike. Në përfundim të masterit, mes përgatitjes së temës së diplomës dhe domosdoshmërisë për kryerjen e praktikës profesionale, rrugët më kryqëzuan me një kompani, dyert e së cilës në fillim u çelën për të më pritur e trajnuar si një student praktikant, që aspironte të bëhej një inxhinier i denje. Armundia Group, u bë shumë shpejt pas diplomimit, “shtëpia ime” e dytë pasi ishte kompania e parë, që zgjodhi të më ofrojë kontratën e parë si inxhinier informatik dhe vendi ku pata fatin të njoh njerëz, që ditë pas dite si mentorë të vërtetë, më ndihmuan të rritem e të formëzoj vizionin tim. Kaluan rreth tre vite intensive pune pranë Armundia Group, kur në fillim të vitit 2012, pas një vendimi jo pak të menduar për tu kthyer në Shqipëri, CEO i Armundia Group, Z. Gianluca Berghella, më propozoi të vazhdonim bashkëpunimin në distancë dhe të vleresonim ndërkohë mundësitë për të themeluar një kompani në Tiranë. U deshën të kalonte dhe një trevjeçar, ku arritëm që në mars të vitit 2015 të themelonim Armundia Factory, si një realitet të ri shqipëtar në ICT, e cila do i krijonte mundësinë të rinjve të rriteshin teknikisht dhe profesionalisht në një kontekst ndërkombëtar.
Cilat kanë qenë disa nga sfidat më të mëdha për ju?
Duhet të theksoj, se në vitin 2015 komuniteti ICT në Shqipëri ishte ende në fillesat e saj. Ishte vërtet sfiduese, për aq kohe sa tregu i punës asokohe vështirë se përmbante profile me eksperiencë, gjë e cila limitonte shumë aspekte të përditshmërisë sonë, si kompani e re. Shumë shpejt kuptuam se investimi në trajnime dhe formime profesionale të ndryshme të profileve junior të të rinjve të sapodiplomuar, do të ishte një lëvizje e zgjuar për tu rritur si kompani e për të marrë përgjegjësi të rëndësishme. Dhe ashtu bëmë. Investuam shumë në vajza e djem të rinj, të cilët sapo kishin mbaruar universitetin, duke trasferuar në ta njohuritë teknike të nevojshme dhe njëkohësisht duke përshtatur nga Armundia Group vizionin, misionin dhe modelin e punës në zhvillimin e projekteve. Këta të rinj u bënë pjesë e formimeve disa mujore përkrah kolegëve italianë, duke përqafuar teknika të reja e duke marrë eksperiencën e tyre, për të sjellë më të mirën në kompaninë tonë.
Jo më pak sfiduese përgjatë këtyre viteve, ka qenë diversifikimi i portofolit të klientëve tanë. Kemi punuar fort dhe jemi përkushtuar në mënyrë konsistente, me qëllim krijimin e një profili të besueshëm dhe kompetent. Sot, përpos Armundia Group, si pjesë e portofolit të klientëve, edhe kompani të tjera prestigjoze italiane, na kanë besuar aktivitetet e tyre.
Cilat kanë qenë disa nga fitoret më të mëdha të angazhimit tuaj?
Në këto tetë vite, angazhim, përkushtim dhe dëshirë për të ecur përpara, Armundia Factory ka ngjitur shumë shkallë suksesi, ka hedhur hapa të sigurtë e të maturuar në projekte të rëndësishme ndërkombëtare. Sot, jam krenar të përmënd, se Armundia Factory është një skuadër prej 60 personash, të apasionuar për punën dhe kuriozë për inovacionin, të cilët kontribuojnë në projekte ndërkombëtare dhe sfiduese në sektorë të ndryshëm si ai bankar, i sigurimeve, trasporteve etj. Kjo padiskutim më bën të jem akoma më shumë i përgjegjshëm për të ruajtur besimin e klientëve tanë, për të zhvilluar më tej mundësitë e bashkëpunimit dhe për të sfiduar veten dhe skuadrën me projekte të reja.
Armundia Factory është një brand i rëndësishëm për tregun e ICT në Shqipëri, kjo falë edhe bashkëpunimeve që kemi patur me botën akademike. Qëllimi është të vazhdojmë të investojmë në këtë drejtim, për tju dhënë studentëve të ICT një mundësi për të hyrë në tregun e punës dhe për të zhvilluar karrierën e tyre profesionale.
Cilat janë disa nga nevojat specifike të Armundia Factory?
Armundia Factoty, ashtu si edhe shumë kompani ICT të tjera në Shqipëri, ka nevojë të rrisë kapacitetet dhe cilësinë e shërbimeve, që ju ofrojmë klientëve tanë. Fatkeqësisht, është e paevitueshme të thuhet, se kjo po cënohet ndjeshem për efekt të emigracionit. Për të frenuar këtë problem kombëtar, ajo çka nevojitet është një bashkëpunim i ngushte i të gjitha hallkave vendimarrëse, si pushtetit qëndror, lokal dhe biznesit, në mënyrë që të ideohen dhe implementohen nisma e instrumenta të tillë, që të rinjtë të mund të shohin me interes oportunitetet që vendi ynë ofron.
Përse keni zgjedhur Tiranën për të themeluar dhe rritur këtë iniciativë?
Tirana, si kryeqytet, ka padiskutim dinamika të caktuara ekonomike krahasuar me qytetet e tjera. Gjithashtu, një tjetër element shumë të rëndësishëm, përbën prezenca e universiteteve publike dhe private, të cilët mundësojnë një numër të caktuar studentësh, që qasen me tregun e punës çdo vit.
Cilat janë objektivat e Armundia Factory për 3- 5 vitet e ardhshme?
Padyshim Armundia Factory synon të rrisë cilësinë në shërbime, të përforcojë bashkëpunimin me klientet aktualë, të investojë në zgjerimin e portofolit, si dhe të investojë në krijimin e kompetencave të reja pr stafin.
Është fakt dhe fat që pozicioni gjeografik i vendit tonë është shumë i favorshëm. Gjthashtu gjeneratat e reja janë njohës të të paktën një gjuhe të huaj. Këto përbëjn elemente domethënëse krahasuar me vende të tjera, të cilat në mendimin tim, mund të shfrytezohen me mirë, për të rritur kapacitetet tona.