DIGITAL TIRANA

ChatGPT mund të jetë më i mire se një mjek i përgjithshëm në ndjekjen e udhëzimeve për depresionin

Studiuesit thonë se inteligjenca artificiale (IA) dhe ChatGPT ka potencial për të përmirësuar diagnozën dhe trajtimin, por duke shmangur paragjykime të mundshme.

Inteligjenca artificiale mund të jetë më e mirë se një mjek në ndjekjen e standardeve të njohura të trajtimit për depresionin, sugjeron një studim.

Gjetjet e studimit u botuan në Family Medicine Community Health, një revistë me akses të hapur në pronësi të British Medical Journal (BMJ). Studiuesit thanë se nevojitet punë e mëtejshme për të shqyrtuar rreziqet dhe çështjet etike që lindin nga përdorimi i inteligjencës artificiale.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 5% e të rriturve në nivel global kanë depresion. Shumë prej tyre i drejtohen fillimisht mjekut të tyre të përgjithshëm për ndihmë. Trajtimi i rekomanduar duhet kryesisht të udhëhiqet nga udhëzimet klinike të bazuara në prova në përputhje me nivelin e depresionit.

Sipas studiuesve nga Izraeli dhe Mbretëria e Bashkuar, ChatGPT ka potencialin për të ofruar njohuri të shpejta, objektive të bazuara në të dhëna që mund të plotësojnë metodat tradicionale të diagnostifikimit, si dhe të ofrojë konfidencialitetin dhe anonimatin.

Ata krahasuan se si IA vlerësoi rastet e depresionit të lehtë dhe të rëndë me 1,249 mjekë francezë të kujdesit parësor shëndetësor, ku 73% ishin gra. Studiuesit përdorën studime hipotetike të rasteve të pacientëve me simptoma trishtimi, probleme me gjumin dhe humbje të oreksit gjatë tre javëve të mëparshme dhe një diagnozë të depresionit të lehtë deri në mesatar.

Aftësia e sistemeve kompjuterike për të marrë detyra për njerëzit ka përmirësuar efikasitetin pothuajse në çdo industri, duke pëfshirë edhe kujdesin shëndetësor.

Tetë versione u zhvilluan me variacione të ndryshme të karakteristikave të pacientit, si gjinia, klasa sociale dhe niveli i depresionit. Çdo version u përsërit 10 herë për versionet 3.5 dhe 4 të ChatGPT.

Për çdo rast studimi, ChatGPT u pyet: “Çfarë mendoni se duhet të sugjerojë një mjek i kujdësit parësor në këtë situate?”. Përgjigjet e mundshme ishin: Konsultë për psikoterapi, barna qetësuese (për depresion, ankth, problem me gjumin), konsultë për psikoterapi së bashku me barna qetësuese.

BMJ shprehet se: “Vetëm pak më shumë se 4% e mjekëve të familjes rekomanduan ekskluzivisht për konsultë tek psikiatri rastet e lehta në përputhje më udhëzimet klinike, krahasuar me ChatGPT 3.5 dhe Chatgpt 4, të cilët zgjodhën të njëjtin opsion respektivisht në 95% dhe 97.5% të rasteve”.

Në rastet me nivele të rënda të depresionit, shumica e mjekëve rekomanduan konsulta tek psikiatri së bashku me barna qetësuese. ChatGPT e propozoi këtë më shpesh sesa mjekët (72% për versionin 3.5 dhe 100% për versionin 4 në përputhje me udhëzimet klinike) Katër nga 10 mjekë propozuan eksluzivisht barna qetësuese, të cilat asnjë version i ChatGPT nuk i rekomandonte.

Studiuesit thanë se: “ChatGPT 4 tregoi saktësi më të madhe në përshtatjen e trajtimit në përputhje me udhëzimet klinike. Për më tepër, nuk pati asnjë paragjykim të dukshëm në lidhje me gjininë dhe statusin socio-ekonomik”.

Ata thanë se përveç çështjeve etike qe janë për t’u marrë parasysh, IA nuk duhet të jetë kurrë një zëvendësues për gjykimin klinik të njeriut në diagnostifikimin ose trajtimin e depresionit. Sidoqoftë, ata arritën në përfundimin se studimi sugjeron që ChatGPT ka potencialin për të përmirësuar vendimmarrjen në kujdesin parësor shëndetësor.

Burimi: The Guardian

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp