#YouthInTech është një nismë që promovon të rinjtë entuziastë të cilët kanë një ide apo një projekt inovator

Si ju lindi ideja?

Silvi – Në shkollën tonë, Alkidi dhe unë kemi themeluar klubin e artit, tek i cili Alkidi, përpos artit, dëshironte të përfshinte fusha të tjera të industrisë kreative, ndaj në këtë klub lëvrojmë edhe disiplinat e dizajnit, ilustrimit digjital dhe multimedias.

Alkid – Për krijimin e idesë së ARD STUDIOS u inspirova nga puna që kishim bërë në klub dhe problematikat që kemi hasur mes artistëve të rinj, bashkëmoshatarët tanë. Ideja e krijimit të një platforme të tillë që do të zgjidhte këto probleme më erdhi si rezultat i kërkimit të një ideje biznesi me ndikim social për konkursin “GrowPOPRI”, ku dhe më vonë fituam në rang kombëtar.

Si funksionon kjo platformë dhe pse pikërisht ky emër?

AlkidARD STUDIOS është një platformë që bashkon artistë të rinj dhe jo vetëm, për të mundësuar promovimin e artit të tyre si dhe shërbimeve që mund të ofrojnë në fushat e industrisë kreative (fotografi, dizajn grafik, modelim 3D etj.), në mënyrë që të kenë mundësinë të nxjerrin përfitime monetare nga puna e tyre e palodhur.

Platforma do të jetë në formë aplikacioni mobile dhe website, të dizejnuar në mënyrë të atillë që t’ju përngjajnë rrjeteve popullore sociale, duke qenë se përdoruesit e synuar janë më të familjarizuar me këtë lloj formati që iu servir përmbajtje (në rastin tonë, veprat artistike etj.) në një mënyrë sa më intuitive.

Në koncept, platforma është e ndarë në dy aplikacione të veçanta, “ARD” dhe “ARD for artists”, që shërben për nevojat specifike të përdoruesëve të tyre:

• Aplikacioni “ARD” është aplikacioni me të cilin ndërveprojnë përdoruesit e zakonshëm, të cilët teksa shfetojnë sugjerimet e veprave artistike, shërbimeve apo profilet e artistëve, shfaqin interes për të parë më shumë detaje mbi to, t’i shtojnë në shportë apo edhe të blejnë.

• Aplikacioni “ARD for artists”, siç kuptohet nga vetë emri, iu vjen në ndihmë artistëve për të ngarkuar veprat e tyre artistike/shërbimet në platformë, t’ju caktojnë çmimet, të personalizojnë profilin e tyre, të kontrollojnë kërkesat mbi shërbimet që ofrojnë si edhe të menaxhojnë të ardhurat e fituara.

Deri tani keni lexuar emrin ‘ARD’, por cili është kuptimi pas këtij emri që shqiptohet kaq çuditshëm? ARD në fakt vjen si bashkim I fjalëve ‘ARt’ dhe ‘Dizajn’, që reflektojnë më së miri thelbin e platformës.

Si do ta çoni përpara këtë platformë, cila është dëshira juaj?

Alkid – Dëshira jonë është që kjo platformë të bëhet realitet, sepse besoj se është diçka që mungon në tregun shqiptar, për të cilën ka nevojë komuniteti.

Për realizimin me sukses të kësaj platforme do të nevojitej një bashkëpunim me Agjencinë e Industrisë Kreative, pasi përpjekjet tona lidhen ngushtësisht me njëra-tjetrën, madje edhe drejtuesi i kësaj agjencie, z. Jonid Jorgji, shprehu pëlqimin e tij për këtë ide në konkursin më të fundit ku kemi marrë pjesë me platformën tonë, Creative Business Cup Albania.

Si përfiton komuniteti nga kjo platformë?

Silvi – Realiteti i jetës kryeqytetase është kaq dinamik dhe shumëngjyrësh, por edhe i zymtë nga ana tjetër, në një nevojë për pak gjallëri, dhe veprat e artistëve tanë do të shërbenin më së miri. Gjithashtu platforma mund t’ju vijë në ndihmë bizneseve që kanë nevojë për shembull për shërbime brandimi, apo edhe thjesht zbukurimin e ambienteve të tyre të punës.

Por jo vetëm, “ARD STUDIOS” synon të gjallërojë shprehinë artistike të brezit të ri, të motivojë artistët e rinj për të shfrytëzuar talentet që kanë në të mirën financiare të tyre, madje edhe të punësohen si rezultat i kontakteve të para të realizuara nëpërmjet platformës sonë.

Çfarë dëshironi të bëheni në të ardhmen, ku e shihni veten?

Alkid – Jam person i shumë talenteve, ARD reflekton aftësitë e mia të shumëllojshme në industrisë kreative, me një prirje të veçantë në teknologji, sidomos mobile me krijimin e UI-ve (User Interface), por si maturant gjendem përballë zgjedhjes për të vazhduar universitetin në degët arkitekturë ose informatikë. Besoj nuk do t’i ndahem sipërmarrjes dhe shpresoj të vazhdoj “ARD STUDIOS” edhe në vitet në vijim.

Silvi –  Aq sa më frikëson po aq më emocionon e ardhmja. Kam pasion artet në përgjithësi dhe shkencat ekzakte, veçanërisht kiminë dhe biologjinë. Një kombinim i mirë i këtyre do të më çonte drejt profesionit të mrekullueshëm të mjekësisë, por gjithmonë duke ndjekur ëndrrën për të përmirësuar “ARD STUDIOS” përtej kufijve me synimin për të krijuar një komuniteti të mirëorganizuar. Gjithashtu dua të krijoj një ekosistem timin, ku të shkenca dhe artet ndërveprojnë në një mënyrë krijuese.

Keni një ide të re për të cilën jeni duke punuar aktualisht?

Alkid – Aktualisht jam presidenti i kompanisë së simuluar “REIMAJEAN” në kuadër të modulit “Kompania e Nxënësve” të zhvilluar nga “Junior Achievement of Albania” në gjimnazet kombëtare, ku po merremi me krijimin e një produkti inovator, në modë, me mjedisin e qëndrueshëm në mendje – trasta të prodhuara prej pantallonash xhins që nuk vishen më dhe qëndrojnë në sirtaret tona. Është një produkt mjaft interesant që kërkon të riimagjinojë (siç sugjeron emri) modën e shpejtë dhe të mbështesë fushatat qeveritare për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike. Do të doja të vazhdoja në vijimësi këtë projekt, me disa bashkëpunime potenciale mjaft frytëdhënëse.

Silvi –  Aktualisht kam qenë pjesë e trajnimeve kriptografike dhe teknologjike. Kam marrë shumë njohuri që përpiqem t’i zbatoj në praktikë çdo ditë. Kjo, me qëllim për të integruar “ARDSTUDIOS” në fusha inovative të teknologjisë duke përdorur asete digjitale. Hapësira e aseteve digjitale kriptografike është e gjerë dhe integrimi i “ARDSTUDIOS” do të kishte mjaft sukses.